Një studim i bërë nga Universiteti Aston, ka arritur të krijojë një ‘xham’, i cili do të përdoret gjatë operacioneve kirurgjikale për të mbytur bakterin E.coli
“Ky xham do të vendoset brenda trupit të pacientit, duke lëshuar një substancë e cila do të inhibojë riprodhimin e mikrobeve, me ç’rast do të çrrënjosë bakterin E.coli”, tha Dr Richard Martin, një ndër doktorët që kishin marrë pjesë në këtë studim.
Sipas Qendrës Për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Sëmundjeve Infektive, së paku 37.000 njerëz humbin jetën si shkak i infeksioneve.
Krahas bakterit E.coli, doktorët kanë arritur që me këtë xham të mbysin edhe disa infeksione fungale, të cilat zakonisht shkaktohen nga bakteri Candida albicans dhe Staphylococcus aureus.
Procedura e krijimit të këtij xhami ishte shumë e thjeshtë. Ky xham bioaktiv u prodhua së pari nga materiali i kobaltit, i cili u ngroh në 1000 gradë dhe pastaj u bë ftohja e tij në mënyrë që të mos kristalizohej. Ky xham më pas u vendos në kontakt me bakterin përkatëse – shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
“Ne jemi duke tentuar që të ndryshohen teknikat e trajtimeve të infeksioneve nëpër spitale, përkatësisht të reduktohet përdorimi i antibiotikëve të cilat kanë rezultuar që janë shumë të dëmshëm për organizmin”, tha udhëheqësi i këtyre studimeve.
Aplikimi i këtij xhami bioaktiv u realizua vetëm në pak raste, mirëpo mjekët janë shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, dhe shpresojnë që shumë shpejt do të fillojë aplikimi i tij edhe në rastet e tjera.