Fjalë Kyçe

Kriza energjetike, Veriu shpenzon gati 13 milionë euro rrymë për dy muaj

Kriza energjetike, Veriu shpenzon gati 13 milionë euro rrymë për dy muaj

Kriza e energjisë elektrike është duke i kushtuar vendit më shumë sesa parashikohej.

Kjo pasi nga buxheti i KOSTT-it janë duke u derdhur para për të paguar borxhet e rrymës nga Veriu i vendit.

Vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti, rreth 13 milionë euro janë paguar si obligim financiar ndaj interkoneksionit evropian për humbjet në Veri.

Situata e pazgjidhur me rrymën në komunat në Veri është duke bërë që ky obligim financiar i KOSTT-it të thellohet.

Kjo gjë është duke rënduar edhe gjendjen e kësaj kompanie. Kështu ka pohuar zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Bajrami-Shala.

“Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonisht e rënduar. Megjithatë, deri më tani KOSTT ka menaxhuar situatën për sigurimin e operimit të përditshëm të kompanisë” ka thënë ajo për Indeksonline.

Sipas zëdhënëses së KOSTT-it, gjatë vitit 2021, borxhi i rrymës, i papaguar për pjesën veriore të Kosovës, ka qënë gati 41 milionë euro.

Bajrami-Shala gjithashtu ka thënë se 11 milionë eurot e ndara nga Qeveria për të paguar këtë borxh u shpenzuan të gjitha në vitin që lamë pas.

Në anën tjetër, energjia elektrike është duke u prodhuar me kapacitetin më të lartë.

Sipas zëvendësdrejtorit të Departamentit të Enërgjisë në Ministrinë e Ekonomisë, Sabit Gashi, kapacitetet operuese janë duke punuar në kapacitet të plotë, teksa mungesa e rrymës po mbulohet përmes importit.

“Për sa i përket gjendjes së prodhimit të ditëve të fundit, kapacitetet operuese janë duke punuar me kapacitet të plotë teknik operues, sipas kërkesave të sigurisë teknike operative të sistemit prodhues të energjisë elektrike, ndërsa mungesa e energjisë elektrike sikurse edhe më parë, mbulohet nga importi. Vlen të theksohet se që nga shpallja e gjendjes emergjente më 24 dhjetor 2021, asnjëherë nuk janë rekomanduar apo aplikuar masat e kufizimit të energjisë elektrike për faktin se Qeveria ka intervenuar me subvencion” ka thënë ai.

I pyetur se si është duke u vlerësuar gjendja e krizës energjetike në rajon, ai tha se edhe Kosova varet nga importi, njëjtë sikurse shtetet e rajonit.

“Krizën energjetike në Kosovë si edhe në rajon e më gjërë, e kanë shkaktuar rritja enorme e çmimeve të importit të energjisë, dhe kjo krizë ka prekur secilin vend në Evropë, që është varur nga importi. Edhe Kosova varet nga importi i energjisë elektrike në një masë që varion vit për vit, prej 14% deri në 19%” ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, kjo krizë do të vërehet më pak gjatë stinës së verës, kur edhe konsumimi i energjisë elektrike bie më dukshëm. Ai ka pohuar se në Minstrinë e Ekonomisë është duke u punuar bazuar në parimet e marrëveshjeve për energji, të zhvilluara në Bruksel.

“Ne mendojmë se ndikimi i krizës globale energjetike gjatë sezonit të verës do të ketë ndikim më të vogël, për shkak se ulet kërkesa për energji elektrike, siç ndodh rëndom në sezonin e verës. Kërkesa për energji elektrike pritet të ulet edhe për shkak të ndikimit të sistemit të ri tarifor i cili dekurajon përdorimin jo racional të energjisë elektrike” ka thënë Gashi.