Fjalë Kyçe

KOSTT nuk përfill vendimin e gjyqësorit për kthimin në punë të ish-kryeshefit Mustafë Hasani

KOSTT nuk përfill vendimin e gjyqësorit për kthimin në punë të ish-kryeshefit Mustafë Hasani

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk po përfill vendimin e gjykatave vendore për rikthimin në punë të ish-drejtorit Mustafë Hasani. Ai ishte larguar nga aty pa të drejtë dhe në mënyrë kundërligjore në gusht të 2017.

Në vendimin e Inspektoratit të Punës me nr. 06-106-2017 thuhet se ankesa e dorëzuar në Inspektoratin e Punës me dt. 12.09.2017 nga Mustafë Hasani ndaj Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut sh.a. KOSTT, lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës është e bazuar. Më tej Inspektorati kërkon nga kompania që në afat prej tetë ditësh të marrë veprimet e duhura, gjegjësisht të shfuqizojë vendimin nr. Prot. 835, të datës 18.08.2017 sipas të cilit ankuesit Mustafë Hasani i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Në njoftim pala ankuese njoftohet për ndërprerje të marrëdhënies së punës për arsye të performacës jo të kënaqshme, marrëdhënieve jo të mira me palët e interesit në sektor, marrëdhënieve jo të mira ndërnjerëzore dhe mungesës së bashkëpunimit me Bordin e Drejtorëve.

Mustafë Hasani, i kontaktuar nga Gazeta Alo, ka deklaruar se nuk qëndrojnë asnjë prej arsyeve të dhëna në vendimin e vitit 2017 dhe kjo dëshmohet edhe me vendimet e mëpastajme të Inspektoratit të Punës dhe të vendimeve të gjykatave në të gjitha shkallët. Ai e akuzon menaxhmentin aktual që nuk po përfill vendimin e gjykatës për kthimin e tij në vendin e punës.

Ankuesi ka potencuar se asnjëherë nuk ka marrë vërejtje me shkrim, por vetëm lëvdata për punën e bërë dhe performaca menaxheriale ka qenë e vlerësuar me notën maksimale, andaj nuk qëndron arsyeja e dhënë nga Bordi i Drejtorëve që ndërprerja e marrëdhënies së punës ndër të tjera bëhet edhe për shkak të performancës jo të mirë.

Madje Hasani ka thënë për Gazeta Alo se krejt kjo u bë nga Bordi pasi ai nuk ka lejuar disa nga keqpëdorimet me vizita zyrtare jashtë vendit.

Inspektorati ka konstatuar se nuk qëndrojnë konstatimet për performacë të dobët, pasi në proseverbalin nr. 504 të dt. 19.05.2017 rezulton që Bordi i Drejtorëve në vlerësimin e fundit ka pasur vlerësim pozitv të performancës menaxheriale të KE z. Mustafë Hasani, duke e vlerësuar me notën më të lartë punën e Kryeshefit (KE) dhe kryesuesja e Bordit të Drejtorëve duke i parë këto vlerësime pozitive ka propozuar që të ngritet paga e tij.

Po ashtu konstatohet se Hasani sipas të gjitha dokumenteve ka pasur raporte të mira me palët e interesit në sektor si ZRRE; KEK, Banka Botërore, MZHE dhe Ministrja për Dialog Edita Tahiri.

Kundër vendimit të Inspektoratit ishte ankuar kompania KOSTT e përfaqësuar nga Drita Kongjeli-Radoniqi. Por Inpekotrati i Punës në vendimin me nr. Prot. 283/2017 të dt. 21.11.2017 e ka refuzuar ankesën në fjalë si dhe e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë të Inspektoratit.

Rasti më pas ka kaluar në gjykatë, ku kompania ka kërkuar prapësimin e vendimit të Inspektoratit të Punës për kthimin e z. Mustafë Hasani në vendin e tij të punës. Por Gjykata Themelore në Prishtinë në vendimin CP nr. 15/18 të dt. 02.08.2018 e ka refuzuar kërkesën për prapësim të debitorit KOSTT sh.a. me seli në Prishtinë.

Në arsyetim thuhet se i autorizuari i debitorit e kundërshton në tërësi caktimin e përmbarimit, në prapësim ka theksuar se vendimi i Inspektoratit të Punës është i paligjshëm për shkak se është nxjerrë në mungesë të autorizimeve nga ligji. Më tej i autorizuari i debitorit ka theksuar se dokumenti përmbarues-Vendimi i IP-së nuk është titull ekzekutiv për shkak se i njëjti sipas ligjit është i kundërligjshëm dhe i ka tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e veta dhe se dokumenti mbi bazën e të cilit është marrë vendimi përmbarues është konkluduar se është pa efekt juridik, duke qenë se është nxjerrë nga Organi Administrativ i cili nuk posedon autorizime për këtë çështje. I autorizuari i debitorit ka deklaruar se debitori është Ndërmarrja Publike dhe vendimet e Bordit të Drejtorëve i kanë ndërprerë kontratën kreditorit me shumicë votash.

Edhe Gjykata e Apelit në vendimin AC nr4089/18 të dt. 12.11.2018 e refuzon si të ‘pathemeltë’ ankesën e KOSTT sh.a.

Mustafë Hasani ka thënë për Gazeta Alo se është e pakuptimtë që edhe kaq muaj pas këtyre vendimeve të instancave më të larta të gjyqësorit edhe më tej kompania vazhdon të shkel të drejtën e tij ligjore për kthim në punë.

Hasani shprehet se mollë sherri për largimin e tij është ndalimi i udhëtimeve zyrtare ku janë bërë shpenzime të shumta.

‘Me siguri ka edhe shumë udhëtime të tjera që kanë ndodhur pas largimit tim nga KE gjithëherë në udhëtime janë shoqëruar nga gratë e tyre sidomos Ilir Shala i cili edhe në Kinë e ka pasur me vete bashkëshorten tani drejtore e Arsimit në Komunën e Prishtinës’. Ka thënë Hasani.

Një prej udhëtimeve të shumta është edhe ai në Paris – Francë.  Pas ftesës nga kompania Alstom (ftesë e cila ishte kërkuar nga sekretari i kompanisë) udhëton bordi në Paris dhe sipas informtave as që e viziton fare kompaninë.

‘Faturat qe i sjellin për kompensim janë jashtë logjikës ligjore dhe skandaloze e të cilat nuk i aprovova, dhe kjo edhe ishte arsyeja më e madhe që ata më shkarkuan

1500 euro taxi, Kabare, museum, sheti me anije, darka e dreka. Pasi të njëjtat nuk i kam aprovuar, ata disa herë pas daljes sime nga KOSTT kanë ndërhyrë për t’i rregulluar faturat me i heq disa dhe me i largu dëshmitë, kështu që ekzistojnë në server te KOSTT ndërhyrjet datat etj’, ka thënë Hasani.

Në adresën elektronike të KOSTT-it Gazeta Alo ka dërguar disa pyetje rreth akuzave të Hasanit ndaj menaxhmentit të këtij institucioni, por këta të fundit edhe pas një javë pritje nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Alo/