Fjalë Kyçe

Krasniqi: Gjykata Speciale është arsyeja pse Thaçi e mbështeti ndryshimin e kufijve

Krasniqi: Gjykata Speciale është arsyeja pse Thaçi e mbështeti ndryshimin e kufijve

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka treguar dyshimet e tij se pse bisedimet e Kosovës me Serbinë kanë kaluar nga niveli teknik në atë politik. E ai shtoi se ka dyshimet e veta se Hashim Thaçi mund të jetë i shantazhuar dhe është mundur t’i ikë Gjykatës Speciale

“Unë kam qenë kundër kalimit nga bisedime teknike në politike, unë kam qenë kundër bisedimeve politike” tha Krasniqi, duke shtuar se “vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i dha të drejtë Kosovës në shpalljen e pavarësisë dhe një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, e detyroi Kosovën që të bëjë bisedime teknike e jo politike”.

Ai tha se Thaçi i filloi bisedimet politike duke “argumentuar se e ka mbështetjen e Uashingtonit e Brukselit” duke shtuar se sikur Kosova të kërkonte të zhvillonte bisedime për t’u kthyer nën Serbi, SHBA’ja e BE’ja nuk do të kundërshtonin.

E pyetur se pse Hashim Thaçi i filloi këto bisedime, ai shtoi se frika më e madhe është Gjykata Speciale.

“Unë mendoj që një rol negative e ka edhe Gjykata Speciale. E konsideroj që përpjekja që dikush t’i ikë Gjykatës Speciale duke bërë manovrime të ndryshme, mendoj që e ka dëmtuar procesin politik. Kështu e shoh, ndoshta nuk kam të drejtë, por kam të drejtë ta them” tha ai, duke shtuar se personat e implikuar nga Gjykata Speciale nuk duhet të jenë pjesë e bisedimeve.

————————————-

Krasniqi: Haradinaj është ngutur kur dha dorëheqje

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i ftuar në emisionin ‘Pressing’ të televizionit T7, ka deklaruar se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është ngutur kur ka dhënë dorëheqje nga detyra e kreut të qeverisë.

“Unë mendoj që është një ngutje e kryeministrit Haradinaj, tani në detyrë” tha Krasniqi, duke shtuar se “duhet të bëhet një dallim mes qeverisë së shkarkuar me mocion dhe një qeverie në dorëheqje”.

Ai madje e krahasoi edhe veprimin e Haradinajt kur ishte në koalicion me ish-presidentin Ibrahim Rugova, kur dorëheqja e Haradinajt nuk e kishte dërguar vendin në zgjedhje.

“Sipas përvojës që e kemi pasur, ndoshta vetë nga Ramush Haradinaj, kur ka shkuar në tribunalin e Hagës, pati dhënë dorëheqje, që ishte e arsyeshme. E menjëherë pas saj vendi nuk ka shkuar në zgjedhje” tha Krasniqi.

E Krasniqi shtoi se dallimi nga hera e kaluar është fakti se tani qeveria nuk i ka numrat që ta mbajë pushtetin

“Dorëheqja e kryeministrit zakonisht nuk e dërgon vendin në zgjedhje, po kësaj radhe për shkak të numrave të ngushtë, realisht dorëheqja e kryeministrit e ka shkaktuar këtë (shkuarjen në zgjedhje” tha ai duke thënë se “nëse do të ishin numrat për një kandidat tjetër çoftë nga AAK’ja apo PDK’ja ose Nisma, që të ishte një kandidat tjetër e vendi të mos shkojë në zgjedhje, për mua do të ishte normale” tha Krasniqi.

Ai në fund shtoi se tani po e presin shpërbërjen e kuvendit dhe pas 45 ditëve të ketë zgjedhje.