Fjalë Kyçe

Lekaj arsyetohet për punësimin e rejës së vet në Telekom

Pal Lekajt i vjen keq për shumëçka, por jo për faktin që reja e tij, zyrtarisht ende vetëm e fejuara e djalit, është punësuar në Telekomin e Kosovës, në vitin 2018.

Doruntina Gashi, më 7 prill të 2018-s, u fejua me djalin e madh të ministrit Pal Lekaj, Asdrenin.

E, në tetorin e po atij viti, ajo arriti të bëhet me një kontratë pune, në ndërmarrjen që ndodhet buzë falimentimit, Telekomi, si zyrtare e shitjes.

Ministri Lekaj thotë se ajo u punësua aty me forcat e saj, ngase po të kishte ndikim, ai do ta përdorte autoritetin e tij për ta punësuar nusen në ministrinë që udhëheq, raporton KTV.

Po të donte, thotë se aty do ta punësonte edhe djalin e tij të papunë, që është magjistër.

Argjend Zejnaj është njeriu më i besueshëm i Lekajt dhe, në aferën e punësimeve, është rreshtuar krah shefit.

Më 13 dhjetor të 2018-s, Albulenë Bekteshi-Zejnaj u punësua në Telekom si zyrtare e shitjes.

Por, bashkëshorti i saj ka thënë për Kohavisionin se ajo nuk është më familjare e tij, pasi tashmë i kanë ndarë rrugët e jetës, duke na udhëzuar t’i drejtohemi për verifikim komunës.

Televizioni ka kërkuar në Gjendjen Civile dhe aty rezulton se çifti Zejnaj kishte lidhur kurorë më 18 shtator 2013 dhe në të dhënat e gjendjes Civile, ende figurojnë si të martuar.

Vetëm gjatë periudhës shkurt 2018 – shkurt 2019, në Telekomin e Kosovës janë punësuar 234 persona, shumë prej të cilëve janë familjarë të deputetëve të AAK-së, PDK-së e NISMA-s në pushtet.