Fjalë Kyçe

Mungon furnizmi me insulina për pacientët në nevojë

Mungon furnizmi me insulina për pacientët në nevojë

Prej gjashtë muajsh qytetarët të cilët janë të prekur me diabet po përballen me mungesë të insulinave nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare anembanë vendit. Për një problem të tillë me të cilin janë përballur edhe më parë, qytetarët shpresë të vetme e kanë Ministrinë e Shëndetësisë.

Por, të kontaktuar nga lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se deri para datës 12 maj nuk kanë pasur të drejtën për shpalljen e tenderit për një qëllim të tillë.

Për t’u furnizuar më insulina, kosovarët kanë shkuar edhe në Kukës të Shqipërisë muajve të fundit. Ani pse ky është ilaçi më i kërkuari ditëve të fundit, nga keqmenaxhimi i nivelit qendror, në vitin e kaluar janë asgjësuar mbi 14 mijë doza për shkak se u ka skaduar afati.

Këtë e ka theksuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e publikuar për Pasqyrat Financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2020, vit ky kur me ministrinë kishin udhëhequr, Arben Vitia, dhe për një periudhë më të gjatë, Armend Zemaj, shkruan lajmi.net.

“Ministria e Shëndetësisë kryen blerjen e barnave për nivelin parësor dhe është përgjegjëse për menaxhimin e tyre. Gjatë ekzaminimit fizik, në depon qendrore të barnave të Ministrisë së Shëndetësisë kemi vërejtur barna me afat të skaduar në vlerë 36,261 euro (insulinë 14,220 copë). Sipas zyrtarëve të Divizionit të Farmacisë në ministri barnat nuk janë shpërndarë në mungesë të kërkesës nga njësia kërkuese”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas auditorit, skadimi i afatit të barnave ka ndikuar në humbje financiare për ministrinë, gjithashtu do të ketë kosto shtesë në asgjësimin e tyre.“Ministri duhet të sigurojë që të bëhet planifikimi i duhur në mënyrë që shpërndarja e barnave kryhet para skadimit të afatit të tyre”, ka rekomanduar auditori. Me këtë rekomandim është pajtuar MSH-ja.Sipas Ministrisë së Shëndetësisë pritet që për disa ditë çështja e furnizimit me insulina të zgjidhet.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë duke i furnizuar institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor vetëm e insulina analoge, të cilën institucionet e përdorin më pak. Tender për Insulina humane në të cilën ishte shpallur fituesi, pas një ankese të një operatori ekonomik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit ishte kërkuar të kthehet në ri-vlerësim. Deri para datës 12 maj MSh për shkak të këtyre procedurave, nuk ka pasur të drejtë të shpall tender tjetër për të njëjtin qëllim”, u tha në përgjigjen e ministries para pak ditëve për lajmi.net.

Po ashtu, është theksuar se Ministria e Shëndetësisë tashmë ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) huamarrja nga Banka Botërore dhe UNOPS për një proces të përshpejtuar të sigurimit të 5 llojeve të insulinave humane.

“Për të gjetur një zgjidhje me qëllim të sigurimit më të shpejtë të insulinave humane derisa çështja në OSHP të marr epilogun e saj, MSh ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) huamarrja nga Banka Botërore dhe UNOPS për një proces të përshpejtuar të sigurimit të pesë llojeve të insulinave humane, me qëllim të eliminimit të mungesave aktuale, deri në stabilizimin e këtij procesi.

MSh pret që për disa ditë çështja e furnizimit me insulina të zgjidhet”, u theksua tutje.Por sa i përket klinikave në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është raportuar për mungesë të furnizimit të insulinave.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë thënë se spitalet kanë insulina për pacientët e shtrirë, meqë të njëjtit furnizohen nga ShSKUK.
“Për mungesat në mjekësi familjare drejtohuni tek MSh, meqë ata bëjnë furnizimin dhe këto qendra nuk janë në kuadër të ShSKUK-së, por menaxhohet nga komunat dhe MSh”.

Ndryshe mungesa e furnizimit me insulina nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në vend ka qenë edhe më parë.Shkaku i kësaj mungese të furnizimit, shumë prej qytetarëve detyrohen që ato t’i sigurojnë vetë.Rreziku që një qytetar të mbesë pa insulinë është tejet i lartë. Të gjithë pacientët e prekur nga diabeti në bazë të njohurive mjekësore nuk guxojnë të qëndrojnë pa insulinë për as edhe dy orë.

Nëse pacienti në fjalë e ka të përcaktuar të marrë insulinën dy herë në ditë, ai nuk guxoj të qëndrojë larg asaj që i është përcaktuar nga mjeku.