Fjalë Kyçe

Pse në Kosovë është më e shtrenjtë bartja e kufomave me Covid-19?

Pse në Kosovë është më e shtrenjtë bartja e kufomave me Covid-19?

Në vitin e kaluar ka pranuar shërbime funerale pa kryer procedura të prokurimit, ashtu siç e përcakton ligji.

Sipas nenit 21.2 të Rregullores Financiare 01/2013- MF Shpenzimi i Parave Publike, “Shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim janë: Pagat, shpenzimet e paguara me para e imët, avancat për udhëtime, komunalit, subvencionet dhe Transferet, transaksionet ndërdepartamentale”.

Megjithëkëtë, Zyra Kombëtare e Auditorit në Raportin e publikuar për vitin 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë ka zbuluar se një pagesë në vlerë 127,835 euro, kishte të bënte me përgatitjen dhe transportin e kufomave si pasojë e “COVID -19”.

“Shërbimet ishin kryer pa ndjekur procedurat e prokurimit. Pagesa është ekzekutuar përmes vendimeve gjyqësore, pasi që zyrtarët përgjegjës për procedim të pagesës nuk kanë kryer pagesën dhe OE ka dërguar lëndën te përmbaruesi privat dhe ka fituar rastin”, ka theksuar auditori.

Lidhur më këtë rast, auditori tutje ka shkruar se sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë ata nuk kanë kërkuar nga kompania të kryejnë shërbimin (shërbimet janë kryer në SHSKUK), por meqë ministria është caktuar si bartëse e proceseve të menaxhimit me pandemi si dhe pasi shërbimet janë menaxhuar në koordinim me Qendrën Opertative Emergjente, e kanë pranuar propozimin për përmbarim duke mos prapësuar lëndën.

E gjithë kjo sipas auditorit e ka ndikimin e vetë: “Angazhimi i OE për kryerjen e shërbimeve pa procedura të prokurimit përveç që është në kundërshtim me rregulloren, ka ndikuar edhe në shpenzime shtesë pasi që ministria nuk ka kryer pagesën dhe OE ka dërguar lëndën te përmbaruesi privat dhe ka fituar rastin”.

Më këtë rast, ministrisë i është rekomanduar që të sigurojë se në rastet emergjente të shpenzimeve të përdorin procedurën e negociuar sipas Ligjit të Prokurimit. Ndërsa në rastet kur shpenzimet nuk i përkasin Ministrisë të prapësohen lëndët.