Fjalë Kyçe

Kurti – fituesi i ndryshuar, Osmani – kryeministre në tentativë

Kurti – fituesi i ndryshuar, Osmani – kryeministre në tentativë

Për të mirë apo për të keq, këto janë disa prej personaliteteve që shënuan vitin 2019

Albin Kurti – fituesi i ndryshuar

Albin Kurti e mbërriti atë që e synonte prej një dekade e gjysmë – fituese të zgjedhjeve të parakohshme të 2019-s e bëri partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ani se pak kohë më parë atë e kishin braktisur 13 deputetë. Tani ai është rrugës për t’u bërë kryeministër.

Kapi këtë sukses, pas dy dekadash fytafyt me pushtetet që ndërroheshin. Socialdemokrati u bë shpresë për kosovarët, pas zhgënjimit me gjithë klasën politike të provuar deri tash. Në fushatë pak kritikoi, por shpalosi një program ambicioz që prek të gjitha fushat. Dha premtime të mëdha për qeverisje të mirë e rritje të mirëqenies, por edhe për luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

U desh edhe vetë që të ndërronte për ta mbërritur pushtetin. Njeriu që nuk shihej të vinte kravatë, më nuk del pa të thuajse në asnjë paraqitje publike. Ndërkaq, mërrolet që përbënin karakteristikë në mimikën e tij, tashmë i ka zëvendësuar me buzëqeshje. Ndërprerja e kritikave ndaj ndërkombëtarëve i është shpërblyer me komunikim me ta – shumë ambasadorë e takuan menjëherë pas zgjedhjeve, ndërkaq përfaqësuesi special i sekretarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë një vizite në Prishtinë tha se me Kurtin njihej prej kohësh, shkruan Koha Ditore.

Për më shumë se një dekadë, kreu i Vetëvendosjes ka drejtuar kauzën kundër negociatave me Serbinë, por tash ka shprehur gatishmërinë për ta përfaqësuar Kosovën vetë në procesin që synon ta prodhojë marrëveshjen finale mes dy vendeve. Ka qenë edhe kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe tani në tryezë pritet të jetë e pakta që do ta pranojë në marrëveshjen me Serbinë. E kishte akuzuar Isa Mustafën për argat të Serbisë, e tash i referohet me profesor dhe e sheh partner të vetëm në qeverisje. Ka thënë se Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e Qeverisë që synon ta ndërtojë, ndërsa tash pranon që një i propozuar i saj të jetë ministër. Ka folur gjatë për bashkimin kombëtar dhe tani thotë të mos jetë kjo çështje më e rëndësishme e Qeverisë së tij.

Karrigia e kryeministrit është duke e pritur një Albin Kurt të ndryshuar.

Vjosa Osmani – kryeministrja në tentativë

Vjosa Osmani tejkaloi armiqësitë e vjetra me parinë e partisë, në shkëmbim të kandidaturës për kryeministre. Mbeti kryeministre në tentativë, meqë Lidhja Demokratike nuk mundi të dalë e para.

Në zgjedhjet brendapartiake, ajo nuk i kundërkandidoi për kryetar Isa Mustafës, ndryshe nga zgjedhjet paraprake. Por s’e bëri këtë pa një marrëveshje. Megjithëse kishte kundërshtime nga njerëz me ndikim në LDK, si puna e Lutfi Hazirit e Agim Veliut, si kundërvlerë për të mos i bërë konkurrencë Mustafës në parti ajo mbërriti të sigurojë mbështetjen për kandidate për kryeministre. Por shumëkush si meritorë për humbjen e LDK-së në zgjedhje i sheh pikërisht Hazirin e Veliun, që mund ta kenë sabotuar fushatën e Osmanit, me qëllimin për t’ia shuar asaj pretendimet për pozita të larta në parti.

Pas zgjedhjeve, Osmani u bë zëri më i fuqishëm pro koalicionit me Vetëvendosjen. Në kohën kur negociatat për poste mes dy partive kishin pësuar ngërç, ajo është parë në jo pak raste bashkë me Albin Kurtin që pritet të jetë kryeministri. Eksponentët e vjetër e interpretuan këtë si presion mbi LDK-në. Veliu tha të mos jenë rastësi takimet e këtilla. Rastësitë e shpeshta ai i interpreton si raporte të rrënjosura mes Osmanit e Kurtit.

Ramush Haradinaj – i izoluari i vetëpërjashtuar

Shumë bëri për ta mbërritur postin e kryeministrit, por befasoi të gjithë kur në një ditë vere, në fund të mbledhjes së Qeverisë, e luti kabinetin për pak vëmendje. Nxori një letër dhe kumtoi dorëheqjen e parevokueshme.

Arsye formale për braktisjen e postit kryesor në ekzekutiv përmendi një ftesë që i është bërë për t’u intervistuar në Hagë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Por, largimi nuk kishte alternativë. Kur kishte mbërritur gjysmëmandatin, ai ishte izoluar nga ndërkombëtarët, si hakmarrje për mosbindje në kërkesën e tyre për ta hequr tarifën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, pa të cilën masë Beogradi zyrtar refuzonte t’u kthehej bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në disa raste iu refuzuan edhe vizat.

Në anën tjetër, taksa u bë sebep që Haradinaj t’i ngrinte raportet edhe me partnerët e koalicionit qeverisës. Në kohën kur dha dorëheqje, një mocion mosbesimi kundër Qeverisë së tij ishte iniciuar nga opozita, e të cilin më shumë gjasë do ta mbështesnin edhe disa nga partitë në pushtet.

Taksa, ndonëse vendim populist, nuk i siguroi vota. Në zgjedhjet e parakohshme ai mori në koalicion edhe PSD-në, pjesë e së cilës ishin 12 deputetët që e kishin braktisur LVV-në, dhe në fletëvotim, krahas emrit të partive, figuronte edhe slogani “KOALICIONI 100% KOSOVË”. Por partia iu rendit e katërta dhe arriti të merrte vetëm 11.5 për qind të votave, të cilat ia siguruan 13 nga 120 ulëset sa ka Kuvendi.

Në mandatin në ardhje, pritet të jetë jashtë institucioneve. Vetëvendosje nuk i ka bërë ftesë për bashkëqeverisje, ndërsa vetë ka paralajmëruar se do të heqë dorë nga mandati i deputetit.