Gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në shtator të vitit 2023 – po vazhdon sot me seancën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë seancë po dëshmon zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, i cili ishte plagosur në aksion.
“Informatën e parë për një veturë të dyshimta e kemi pranuar në ora 21 dhe informata ka qenë nga dhomat komanduese, një veturë është e parkuar në një livadh dhe ajo informatë është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe sipas tyre ajo veturë është e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Rashiti në nisje të dëshmisë.
Ai ka treguar për shkuarjen e njësiteve të tjera të Policisë në vendngjarje, përfshirë edhe rreshterin e vrarë, Afrim Bunjaku.
“Sa kemi arritur në fshatin Banjska më saktësisht te ura, kemi vërejtur dy kamionë, peshë e rëndë, që kanë bllokuar ose barrikaduar urën, pra kanë qenë mbi urë të parkuar, paralel. Kemi vëzhguar fillimisht a ka diçka të dyshimtë, nuk kemi pa persona që po lëvizin, kolegët kanë tentuar ta lajmërojnë menjëherë dhomën komanduese mirëpo ka pasur problem me kalu radiolidhjen dhe e kemi parë të arsyeshme që të shkojmë në një pozicion tjetër që të komunikojmë lirshëm. Kemi vazhduar në rrugën kryesore, nuk ka pasur diçka të dyshimtë, kemi kontaktuar me dhomën komanduese dhe i kemi raportuar për dy kamionët e dyshimtë që kishin barrikaduar urën. Nga dhoma komanduese na është kërkuar të kthehemi në vendngjarje dhe mundësisht na janë kërkuar foto, menjëherë jemi kthyer në hyrje të fshatit Banjska. Veturën e kemi parkuar diku 30 metra larg kamionëve për shkak se kishte shumë ndriçim. Nga dhoma komanduese na është thënë se janë dërguar 2 njësi për asistencë, njësi të Zveçanit. Jemi dalë me kolegët Mirsadin dhe Çlirimin. Unë dhe Mirsadi jemi afruar te kamionët me shiku nëse ka diçka të dyshimtë, nuk ka vonuar më shumë se 20 minuta kanë arritë dy vetura policore në vendngjarje, aty kanë qenë 6 policë përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku, unë kam qenë afër kamionëve e Mirsadi ka komunikuar me kolegët e tjerë. Mirsadi me një kolegë kanë vazhduar në drejtim të kamionëve, t’i shikojnë për së afërmi. E kujtoj që rreshteri Afrimi ka ardhur dhe jemi konsultuar që t’i marrim disa pozita dhe të jemi në gjendje gatishmëria pasi e dinim që mund të kishte rrezik”, ka shtuar ai.
Rashiti tutje ka rrëfyer momentin e vrasjes së rreshterit Bunjaku dhe plagosjen e tij.
Ka shtuar se pas shpërthimeve, ka pasur gjuajtje nga dhjetëra pozicione në drejtim të tyre.
“Nuk ka pasur diçka tjetër të dyshimtë përpos kamionëve dhe ndriçimit, pasi ka qenë ndriçim shumë më i madh se ditëve tjera. Gjendja në fshat ka qenë thuajse qetësi absolute gjë që nuk ka qenë e zakonshme në atë kohë. Kam kërkuar nga kolegu Çlirimi t’i përdorë dylbitë termike që të shikojë nëse ka diçka të dyshimtë. Ndoshta kur jam larguar 3 apo 4 metra nga Afrim Bunjaku, nga ana e majtë ka ndodhë një shpërthim i papritur dhe jam plagosur në anën e majtë. Shpërthimi ishte shumë i madh, eksplodim shumë i madh. Jam munduar të kalojë në pozitë mbrojtëse afër një kamionete menjëherë ka ndodhur një shpërthim tjetër. Pa u vonuar shumë kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri, kur kanë filluar kemi parë që ka gjuajtje nga tërë fshati, nga dhjetar pozicione me armë të kalibrave të ndryshëm, kemi filluar të kthejmë zjarrin, mirëpo në anën e majtë timen kam vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë dhe i gjakosur nga qafa dhe i palëvizshëm dhe kemi kërkuake nga Çlirimi të afrohet me veturë që ta tërheqim rreshterin nga ai vend, ai është nisur me makinë dhe e kanë goditur me predha të ndryshme dhe e kanë bërë veturën e palëvizshme”, ka vazhduar ai.
Ai tutje ka treguar për momentin e tërheqjes së rreshterit Bunjaku.
“Pasi që ka ardhë Çlirimi te unë, nga kolegu Mirsadi më është kërkuar që të i godas dritat te ura pasi që plumbat vinin afër neve. I kemi goditur dritat për të krijuar një errësirë, pastaj më është kërkuar nga Mirsadi që ta mbuloj me zjarr, edhe pse kam qenë i plagosur, por nuk i kam treguar kolegut, kam filluar ta mbuloj me zjarr Mirsadin. Ai ka shkuar te vetura e tjetër që ta sjellë e ta tërheqim rreshterin Bunjaku. Kanë shti zjarr dhe Mirsadi ka kërkuar që rreshterin ta fusim në veturë”, ka dëshmuar ai.
Rashiti thotë se terroristët po i vëzhgonin përmes dronit gjatë kohës sa kishte gjuajtje nga të dyja anët.
Ai thotë se ka shtënë në drejtim të tij, por ka theksuar se nuk është i sigurt nëse e ka goditur.
“Ato momente ishin të vështira pasi që ishim më pak zyrtarë policorë, veturat i kishim të dëmtuara nga predhat, mua më rridhte gjak, gjithashtu vërejta që jam i plagosur edhe në këmbë dhe aty kam vërejtur që ka qenë një dron duke na vëzhguar lëvizjet, kam shtënë në drejtim të dronit por nuk e di a e kam goditë. Aty kam kaluar nga kolegët që të bashkohemi në një pikë të vetme, pasi disa ishin në një pikë tjetër, kemi arritur me mbulim të zjarrit të grumbullohemi dhe aty e kemi parë gjendjen që gjuajtjet thuajse u ndalën dhe kishte lëvizje të dyshimta dhe menduam që personat që po na sulmonin po afroheshin tek ne. Aty prapa kemi filluar ballafaqimin deri në momentin kur ka ardhur asistenca nga Kushtova”, ka thënë ai.
Sipas Rashitit, për përdorimin e armëve që janë përdorur duhet të ketë trajnime specifike. Ka theksuar se gjithçka ka qenë e koordinuar, pra sipas tij, ata kanë qenë një grup mirë i përgatitur dhe nuk ka qenë grup kriminal i zakonshëm.
“Kanë qenë të strukturuar shumë mirë, aty është gjuajtur edhe me raketahedhës që kërkon kompetencë, as ushtari i thjeshtë nuk di ta përdorë raketahedhësin”, ka thënë ai.
Rashiti ka thënë se ende nuk e ka filluar punën shkaku i plagëve që ka marrë atë ditë.
Nis dëshminë zyrtari policor i Njësisë Speciale që ishte plagosur në Banjskë
I dëmtuari- zyrtari policor Alban Rashiti ka filluar dëshminë në gjykimin në rastin “Banjska”. Ai ishte plagosur në ditën kritike.
Rashiti tregoi se është zyrtar policor në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë të Policisë së Kosovës, në kuadër të Njësisë Kufitare, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se detyrë e tyre ka qenë patrullimi rreth zonës kufitare dhe se njësia e tyre është në kuadër të kufirit, për rrezikshmëri të lartë ku ata intervenojnë.
Në seancën e parë të mbajtur në prill për rastin e sulmit në këtë fshat në veri të Kosovës, tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.
Gjatë asaj seance, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.
Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.
Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.
Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.
Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Çfarë përmban aktakuza për rastin “Banjska”?
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.