Gjykata kundër-korrupsionit në Ekuador ka dënuar tetë persona me burgim dhe ka sanksionuar tri kompani për rolin e tyre në skemën e pastrimit të parave që lidhet me mafinë shqiptare, ka njoftuar të premten zyra e prokurorit të shtetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të dënuarit ishin pjesë e një rrjeti që ka dërguar drogë nga Ekuadori në Evropë përmes kompanive të regjistruara për të pastruar para me vlerë 43.4 milionë dollarë, sipas zyrës së prokurorit.
Të gjithë të dënuarit morën më shumë se 17 vjet burgim, derisa katër prej tyre ishin dënuar të enjten për krim të organizuar të lidhur me mafinë shqiptare.
Prokurori ekuadorian ka gjetur se shtetasi shqiptar i identifikuar si Dritan G, ka udhëhequr rrjetin kriminal, bashkë me një biznesmen argjentinas dhe ekuadorian. Grupi u dënua për krijimin e disa kompanive për të fshehur paratë dhe asetet ilegale që lidheshin me trafikimin e narkotikëve.
Hetimi i prokurorëve ka zbuluar se kreu i organizatës kriminale është ende në arrati, por ata që u dënuan besohet se ishin bashkëpunëtorë në këtë plan.
Prokurori kërkoi dënim 10 deri në 13 vjet për tetë të akuzuarit dhe se tri kompanitë duhet të shkrihen dhe t’i konfiskohen asetet.