Organizata ndërkombëtare policore – INTERPOL, ka pranuar aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e kësaj organizate edhe këtë vit, pas dështimit që Kosova pati vitin e kaluar.
Njohësit e çështjes kanë potencuar vazhdimisht se një nga arsyet e dështimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL ka qenë edhe mos-efikasiteti në lobim.
Ani pse vitin e kaluar Qeveria e Kosovës kishte ndarë 1.2 milionë euro për lobim për INTERPOL, kjo nuk pati ndonjë rezultat, Kosova nuk arriti të jetë pjesë e organizatës.
Por cila është strategjia e këtij viti?
Gazeta ka kontaktuar me Jetlir Zyberaj, këshilltarin e ministrit të jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli për ta pyetur nëse do të kërkojnë fonde nga qeveria për lobim.
Ai është shprehur se as vitin e kaluar nuk kanë kërkuar dhe as këtë vit nuk do të kërkojnë.
“Jo, në vitin e kaluar se kemi pasur në dorë dhe rrjedhimisht s’kemi kërku, por nuk planifikojmë të kërkojmë as këtë vit”, është shprehur Zyberaj për lajmi.net.
Ndërkohë, ministri i punëve të brendshme, Ekrem Mustafa është shprehur se kompetent dhe përgjegjës për strategjinë janë Ministria e Punëve të Jashtme.
Në tentim për të marrë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Dje, në një prononcim për lajmi.net, njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja është shprehur se Kosova duhet të mobilizohet qysh tani me strategji të veçantë për lobim.
Gjithashtu, Qehaja ka përmendur edhe financimin që duhet të bëhet në lobim me angazhimin e njerëzve kompetent që mund t’i bindin shtetet të votojnë pro Kosovës.
Por, ende nuk dihet se cila do të jetë këtë vit strategjia e Kosovës.