Nita Shala do të duhej të niste të martën ligjërimin në katedrën e Penales në Fakultetin Juridik të Prishtinës.
Duke qenë doktor në të Drejtën Ndërkombëtare, Shala arriti të përzgjidhet në mesin e 11 kandidatëve që kishin aplikuar për dy pozitat e asistentit në këtë katedër, për çka ajo ka lidhur edhe një kontratë pune dy vjeçare.
Por, përzgjedhja është kundërshtuar nga shefi i ri i saj, dekani i Juridikut, Haxhi Gashi, i cili në Senat ishte kundër kësaj përzgjedhje.
Ai pretendon se në momentin e aplikimit, kandidatja Shala, nuk e kishte të nostrifikuar doktoraturën.
Pos dekanit, përzgjedhjen e Shalës e ka kundërshtuar edhe Triumf Sadikaj, i cili vetë ka konkurruar për këtë pozitë dhe pretendon se Shala nuk e plotëson kriterin e moshës.
Ai është vëllai i bashkëshortes së dekanit të Juridikut dhe djali i kandidatit për deputet nga PDK-ja, Beqir Sadikaj, që gjithashtu është profesor në Juridik.
Ankesa e tij u rrëzua në të gjitha shkallët brenda Fakultetit Juridik dhe në Senatin e UP-së.
Vetë Gashi ka pranuar për “Kohavisionin” lidhjet familjare me Triumf Sadikajn, por ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndikuar në kundërshtimin që ai i ka bërë përzgjedhjen e kandidates Nita Shala.
Gashi ka premtuar se do të përgjigjet gjerësisht për këtë edhe me shkrim, por pastaj nuk e ka bërë këtë dhe nuk u është përgjigjur thirrjeve nëpërmjet telefonit.
Nita Shala tregon se në kohën kur kishte aplikuar, diploma e saj e doktoraturës ishte në procedurën e nostrifikimit.
Vetëm Inspektorati i Punës i dha të drejtë Sadikajt dhe e vlerësoi të bazuar ankesën e tij.
Shala tregon se Inspektorati e shqyrtoi ankesën e Sadikajt duke shkelur procedurat e veta dhe jashtë kohës së lejuar për ushtrim të ankesës.
“Kohavisioni” ka pyetur për këtë Inspektoratin e Punës, por nga aty kanë thënë se vendimi është dërguar në shkallën e dytë dhe nuk do të deklarohen deri në një vendim të ri rreth kësaj çështjeje.
Ndërkaq, Shala për të nënshkruar kontratën me UP-në dha dorëheqje nga pozita e këshilltares në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri.
Shala, gjithashtu, ka punuar në Tribunalin e Hagës për Krime në ish-Jugosllavi.