Gjendet trupi i pa jetë i 26 vjeçarit që u raportua i zhdukur javë më parë në Prizren
Është gjetur trupi i pajetë i 26 vjeçarit sot rreth orës 08:20 në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës së fshatit Rugovë në Prizren.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lum dhe ka lajmëruar policinë.
“Më datë 14.01.2025, rreth orës 08:20, policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lumin “Drini i Bardhë” në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Me të marr këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vend ngjarje, ku kanë vërejtur një trup të pajetë”, ka thënë Bytyqi.
Tutje, ai tha se pas kontrollit të rrobave të trupit të pajetë janë gjetur dokumentacion me emrin e personit të raportuar ditë më parë si i zhdukur.
“Pas kontrollimit të viktimës nga njësit përkatëse, në rrobat e viktimës janë gjetur dokumentacion personal në emër të Arban HISARI, 05.06.1998 si dhe rrobat të cilat i kishte viktima, ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajetë është i viktimës së lartcekur. Për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit”, ka thënë Bytyqi.