Fjalë Kyçe

Historia e familjes nga Vushtrria, që dhuron gjak sa herë që paraqitet nevoja

Historia e familjes nga Vushtrria, që dhuron gjak sa herë që paraqitet nevoja

Një fatkeqësi në familje e ndodhur shumë vjet më parë ka shtyrë familjen Hoti nga fshati Ratkoc i Vushtrrisë, që përveç dhurimit të gjakut nga vetë anëtarët, të organizojë edhe aksione për dhurim vullnetar të gjakut.

Në secilin organizim qindra doza gjaku mblidhen në këtë fshat.

Vajza e familjes Hoti, Diana, në KTV ka rrëfyer historinë e familjes së saj.

“Kemi pas një fatkeqësi, kemi pasur një anëtarë të familjes që ka pësuar aksident dhe ka pasur nevojë për gjak, ka qenë ajo periudhë që njerëzit shumë pak e kanë pas idenë se çka është dhurimi I gjakut, kemi shkuar nëpër shtëpi, kemi kërkuar, por kemi hasur në persona që nuk e kanë ditur as cilit grup të gjakut i takojnë”, ka treguar Hoti.

Ajo ka thënë se pas vdekjes së anëtarit të familjes kanë dashur që familje të tjera që mund të jenë në situatën që u gjendën ata, të mos e kenë problemin e dhurimit të gjakut.

“Dhe pas vdekjes së personit, nëna i kërkon babait që të fillojmë edhe ne si aksion, sepse është shumë e vështirë që kur e ke një anëtar të familjes edhe ti duhet të kërkosh gjak, e kemi bërë këtë që nëse familjet tjera e kanë problemin e njëjtë sikurse ne, të mos e kenë problemin e sigurimit të gjakut”, ka treguare Hoti.

“Ne si anëtarë të familjes e kemi grupin zero, por e posedojmë një listë dhe nëse Transfuzioni i Gjakut ka nevojë për një grup të rrallë shkojmë sipas radhës dhe i thërrasim dhe i mbushim nevojat për persona të caktuar”, ka shtuar ajo.

Hoti ka treguar as ata u përgjigjen thirrjeve të Transfuzionit të Gjakut, sa herë që ata kanë nevojë dhe ka thënë se pranojnë thirrje edhe nga persona jashtë fshatit të tyre, që janë dhurues vullnetarë të gjakut, e që u përgjigjen thirrjeve për dhurim.

Familja Hoti tashmë është shumë e njohur nga stafi i Transfuzionit të Gjakut.

Doktoresha Xhemile Sllamniku ka treguar për herën e parë që bashkë me ekipin e Transfuzionit të Gjakut, kanë shkuar në fshatin Ratkoc.

Ajo ka thënë se për herë të parë aty ka dhënë gjak dhe për herë të parë ka parë aq shumë persona që i janë përgjigjur thirrjes për dhurim të gjakut.

herë të parë kam parë njerëz që vijnë pa komplekse, vajza, burra, gra, djem të ri, do të thotë të gjithë u solidarizuan dhe e ndjeja veten aq mirë dhe u bashkëngjita me ta dhe dhurova edhe unë gjak për herë të parë”, ka treguar Sllamniku, duke thënë se për një ditë të vetme aty kanë siguruar rreth 200 doza të gjakut.