Analisti Imer Mushkolaj, tha sot se LDK-ja dhe përfaqësuesit e saj politikë duhet të jenë të qartë dhe të tregojnë se duan apo jo që të marrin pjesë në Ekipin Negociator.
Kjo pasi LDK-ja, kundërshton vazhdimisht pjesëmarrjen në këtë ekip, por numri dy i LDK-së, nënkryetari Lutfi Haziri, i dha kushtet e kësaj partie për t’u bërë pjesë e dialogut.
Mushkolajt, i është kundërpërgjigjur Shefi i GP-së të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Nuk është problem i LDK-së pse z.Imer Mushkolaj nuk do, sepse nuk besoj që nuk di, ta lexoj qëndrimin e LDK-së ndaj procesit të dialogut. Ne jemi të qartë. Paqartësia e ka adresë tek koalicioni PAN dhe Presidenti. Kot i drejtohet LDK-së. Nëse z.Mushkolaj do dhe guxon, ai duhet të kërkojë qartësinë te qeveria e pakicës, pa legjitimitet”, ka shkruar Hoti në profilin e tij zyrtar në Facebook.
“Ne nuk shkojmë në dialog pa mandat qytetarë. Dhe as nuk e mbështesim askënd që kërkon t’i bishtnojë mandatit qytetarë”, ka shkruar tutje.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK-ja pavarësisht kërkesave të ndryshme që të jetë pjesë e dialogut, nuk ka ndryshuar mendje.
“Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar asgjë nga takimi i fundit që ne kemi pasur me Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Pra, LDK-ja e ka ofruar platformën e saj për parimet e dialogut dhe mënyrën se si e sheh të kornizuar një dialog në vija të njëjta me parimet negociuese që grupi i Quint-it i ka miratuar në verën e vitit 2018. Dhe, ne legjitimitetin politik nuk mund t’ia japim [Qeverisë dhe Ekipit Negociator] sepse ai nuk falet, legjitimiteti politik ose fitohet me zgjedhje ose me marrëveshje politike”, theksoi Haziri.