Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë amendamentin, të cilin e ka propozuar Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që parasheh të fshihet neni 27 i këtij projektligji.
Përmes një komunikate, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, thotë se votimi i këtij amendamenti bie ndesh me prioritetin e caktuar shtetëror për sundim të ligjit, i cili, përveç të tjerave, është në kundërshtim të plotë me nenin 4 të Kushtetutës, Ligjin për gjykata dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, si dhe është në kundërshtim edhe me Kartën Evropiane për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Në vetvete, ky amendament përmban de-motivim për punë, por edhe cenim të integritetit, mirëqenies dhe pritjeve për të pasur një efikasitet në fuqizimin e sundimit të ligjit, në kohën kur jemi duke synuar plotësimin e standardeve dhe kritereve për t’u anëtarësuar në BE dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kriminale.
Në këtë kontekst, përkrahja e këtij amendamenti dhe miratimi i tij do të detyrojë sistemin gjyqësor dhe prokurorial që të ndjekë të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur pavarësinë dhe mirëqenien e gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit të tyre.
Padyshim që siguria financiare e gjyqësorit dhe prokurorisë është parakusht themeltar për të arritur pritjet shtetërore në përmbushjen e synimit për plotësimin e standardeve dhe kritereve për t’u anëtarësuar në BE dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kriminale.
Andaj, ne besojmë fuqishëm që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të tregojnë vullnetin e duhur që të ruhet stabiliteti i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës./Gazeta Alo/