Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.
Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas disa orësh, “ne e kemi arritur objektivin tonë: kemi një marrëveshje”.
“Tani mund të nisin bisedimet intensive për normalizim të plotë”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.
Ai ka thënë në një bashkëbisedim virtual me qytetarët në Twitter se, marrëveshja përfundimtare është në tavolinën negociuese dhe se i gjithë informacioni do të jetë publik.