Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj së bashku me zyrtarë të kësaj partie kanë bërë homazhe pranë varrezave të familjes Jashari në Prekaz.
Limaj, nga Prekazi tha se komandanti legjendar Adem Jashari ndryshoi rrjedhën historike jo vetëm të Kosovës dhe kombit shqiptarë por të të gjithë regjionit, shkruan Gazeta Alo.
“Sot si çdo vit në këtë datë të shenjtë qytetarët e Kosovës vijnë për të nderuar dhe për të shprehur respektin dhe përkuljen para një personaliteti të madh i cili ndryshoi rrjedhën historike jo vetëm të Kosovës dhe kombit shqiptarë por të gjithë regjionit. Ardhja në Prekaz duhet të shërbej për të gjithë ne për të kujtuar se atë që sot e kemi është rezultat i një sakrificë të panjohur në këtë pjesë të Evropës nga një familje e madhe dhe nga një drejtues i madh i UÇK-së”, tha Limaj.
Sipas tij, tashmë të gjallët e kanë për detyrë që të vazhdojnë rrugën drejt realizimit të objektivave për të pasur një Kosovë të fuqishme.
“Si detyrë që ne të gjallët të vazhdojmë rrugën drejt realizimit të objektivave tona për të pasur një Kosovë të fuqishme, të lirë, me një mirëqenie dhe demokratike”, ka deklaruar Limaj./Gazeta Alo/