Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, partia e të cilit e ndihmoi koalicioni qeveritarë të kalojë buxhetin për vitin e ardhshëm, ka shkruar në Facebook se ata janë të palëkundur për ta larguar PDK-në nga pushteti.
Këto deklarata të Molliqajt vijnë pasi në media rrodhën bisedat e tij në telefon gjatë seancës kur u votua për buxhetin me ministrin e AAK-së, Pal Lekaj dhe deputetin e NISMAS Bilall Sherifi.
“Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë për ta larguar PDK-në nga pushteti. Posa kjo të arrihet, ata do të hetohen e përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet e aferat korruptive që i kanë kryer në vendin tonë”, ka shkruar Molliqaj.
“Lajmet e sponsorizuara që kinse ne do të bëhemi pjesë e kësaj qeverie janë shpifjet e radhës nga ata që e ëndërrojnë ardhjen në pushtet pikërisht duke bashkëpunuar me PDK-në”, ka shkruar ai.
Molliqaj tutje ka shkruar se të gjithë ata që po i kundërshtojnë hyrjen e PSD-së në ekipin Negociator për dialogu Kosovë-Serbi, janë po ashtu të hapur për koalicione me PDK-në.
“Ata që me gjithë pushtetin dhe mundësitë që kanë për të parandaluar dëme që i ndodhin Kosovës vendosin të jenë spektatorë për arsye elektorale, e në të njëjtën kohë po mundohen që pjesëmarrjen tonë në dialog ta paraqesin si hyrje në qeveri, janë po të njëjtit që hapur shprehën gatishmëri për të ardhur në pushtet përmes koalicionit me PDK-në qysh në vitin 2016”, ka shkruar Molliqaj.
Ai gjithashtu ka shkruar se PSD do vazhdojë me qasjen e saj, të cilën e ka quajtur konstruktive.
“Ne do të vazhdojmë me qasjen tonë konstruktive. E propagandat populiste ua lëmë atyre. Por, të mos harrojnë që hedhja hi syve të qytetarëve ka përfunduar. Prandaj kot lodhen 😊”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.
Gjatë ditës në media u raportua për shkëmbimin e bisedave në mes të Molliqajt me deputetin e NISMAS Bilall Sherifin dhe ministrin Pal Lekaj.
Lidhur me këtë pati edhe reagime nga ana e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosej Albulena Haxhiu, e cila ka shkruar se është fat i madh që nuk janë pjesë e Vetëvendosjes ish kolegët e saj tashmë të PSD-së.