Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj Y. I., për “ndërtim pa leje” dhe “heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave”.
Y. I. akuzohet se gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Podujevës, pa siguruar leje ndërtimore ka ndërtuar katër vila për banim në pronën e tij. Ai ka vazhduar ndërtimin përkundër faktit se i ishte shqiptuar gjobë nga Inspektorati e po ashtu ishin vendosur shiritat për ndalim të ndërtimit.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe i ka propozuar Gjykatës të urdhërojë organet kompetente të Komunës së Podujevës që në kuadër të legjislacionit në fuqi të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e Aktvendimit për Rrënimin e Objekteve, të lëshuar nga Drejtoria e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës”, thuhet nga Prokuroria Themelore.