Në Komunë thonë se janë duke punuar për sanimin e gropave. Opozita thotë se nuk po punohet sa duhet
Gropa të tilla jo rrallë herë mund të shihen në qendër të Prishtinës.
Madje disa prej tyre qytetarët janë munduar t’i mbyllin për t’i shmangur dëmet materiale.
E nuk mungojnë rastet, kur për shkak të ndërtimeve nga kompanitë private është dëmtuar asfalti.
Gjendja e rrugëve në kryeqytet, është kthyer në një shqetësim për vozitësit.
Ata shprehen se nuk mbajnë mend një gjendje me të keqe të infrastrukturës rrugore në Prishtinë.
E gropat sa vinë e zmadhohen në periferi të qytetit.
Disa prej tyre, nuk janë mbyllur, as pasi që janë kryer punimet e nevojshme.
Komuna e Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim, kanë thënë që për shkak të fluksit të madh të veturave, dëmtimi i rrugëve në kryeqytet është më i shpeshtë.
Sipas tyre, tashmë kanë angazhuar një kompani për ta bërë sanimin e gropave.
Për sanimin e gropave në Kryeqytet, Komuna e Prishtinës ka të angazhuar kompaninë “Bashkimi” me kontrate njëvjeçare. Për vitin 2018 janë buxhetuar 400.000 euro për sanimin e gropave, derisa për vitin 2019, kjo shumë arrin në 536.138 euro. Deri më tani janë sanuar mbi 1 mijë gropa.
Por, mendim ndryshe kanë nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Agim Gashi nga radhët e LDK-së, thotë se komuna nuk po bën sa duhet për t’i mirëmbajtur rrugët.
Ajo që është reale në Prishtinë, është se komuna nuk po i përmbush këto detyra të veta.
Sipas Gashit, janë pikërisht këto gropa ato që po paraqesin rrezik në komunikacion dhe që po i dëmtojnë veturat e qytetarëve.