Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten një veturë e Policisë në Zveçan është sulmuar me gurë nga tre persona të maskuar.
Sipas raportit të Policisë rasti ka ndodhur rreth orës 10:00 të enjten.
“Raportohet se tre persona të maskuar kanë gjuajtur me gurë në drejtim të veturës zyrtare të policisë dhe më pas janë larguar. Përveç dëmeve materiale në veturë zyrtare, nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.
Një sulm tjetër ndaj një veturë të Policisë ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut. Përveç me gurë, ajo është gjuajtur edhe me shok-bombë. “Mitrovicë Veri, 15.06.2023-23:30. Raportohet se persona të panjohur kanë gjuajtur me gur dhe shok – bombë automjetin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Për veç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.