Kur një grua u dhunua seksualisht në fund të muajit korrik në qytetin e Gjakovës, një komentues shkroi në media sociale: “Hajt se nuk është dhunuar fare, por ajo ka dashur vet”.
“Mirë ja ka ba qyre niher qysh u ba si dreq”, shkroi një komentues kur u bë virale video e një të riu duke shkelmuar një grua rome në Ferizaj. Para se ajo të sulmohej, disa media lokale raportuan se ajo po rrëmbente fëmijë në disa qytete të Kosovës, por hetimet e policisë treguan se ishte një lajm i rrejshëm se ajo nuk kishte bërë asgjë ilegale që nga koha kur ishte kthyer në Kosovën nga një vend i Bashkimit Evropian.
Gjuha e urrejtjes ndodhet kudo nëpër faqe të internetit, duke filluar nga konfliktet në mes të grupeve të ndryshme e deri tek etiketimi i një grupi të caktuar të njerëzve me fjalë të llojeve të ndryshme fyese. Kjo dukuri negative në shoqëri, sipas psikologëve dhe ekspertëve, vazhdon të jetë e pranishme.
Komentet që nxisin urrejtje fetare, racore dhe gjinore janë të pranishme në shoqërinë kosovare, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Luljeta Aliu, drejtoreshë në organizatën joqeveritare “Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi-Inject.”
“Gjithsecili mund të jap mendimin e vet. Ndër ata mund të ketë njerëz që thjeshtë janë mizogjen, që i urrejnë gratë që e kanë një mendim tejet diskriminues ndaj grave, por jo vetëm. Aty gjinden të gjitha llojet e njerëzve edhe pastaj kur e sheh së njëri prej tyre reagon edhe të tjerët nxiten të shprehin atë që e mendojnë. Në përgjithësi në shoqërinë tonë nuk kemi arritur që shoqëria të ketë një respekt të mjaftueshëm ndaj grave, por edhe ndaj grupeve të ndryshme tjera të shoqërisë, edhe ndaj pakicave ose grupeve të tjera me tjetër etni ose kulturë ose religjion. Ne jemi njerëz të cilët jemi shumë shumë diskriminues ndaj çdo gjëje që është ndryshe”, thotë Aliu.