Fjalë Kyçe

‘Paramilitarët e maskuar më dhunuan mua, e pastaj edhe vajzën time 15 vjeçare’

‘Paramilitarët e maskuar më dhunuan mua, e pastaj edhe vajzën time 15 vjeçare’

Shumë nga gratë e dhunuara gjatë luftës, ende i kanë kujtimet e freskëta, madje ankthi i para 20 vjetëve vazhdon të jetë prezent edhe sot.

Përkundër tmerrit të përjetuar, gratë kosovare kanë vendosur të mos heshtin. Edhe një 70 vjeçare e ka bërë këtë.

Në mars të vitit 1999 jeta e saj ndryshoi, mori një kahje të cilën nuk do dëshironte ta përjetonte askush. Në kohën kur u përdhunua nga paramilitarët serb, ajo ishte 50 vjeçare dhe shtatzënë në muajin e shtatë.  Burrin ia kishin masakruar dhe nxjerrë sytë. Por, jo vetëm kaq. Sikur nuk i mjaftoi kjo serbëve, ata ia përdhunuan edhe vajzën, që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeçare, raporton Syri.net Kosova

“Ishte mëngjesi i hershëm kur më forcë paramilitarët e maskuar, me maska në fytyrë dhe me uniforma me lara e thyen derën dhe hynë brenda në dhomën ku isha me vajzën që ishte në gjumë të thellë. Ishin 4-5 veta, filluan të më pyesin për burrin, iu përgjigja –ma kanë vrarë. A ke fëmijë? Jo ju thashë e sa mujsha e mbulojsha vajzën më jorgan që mos ta shihnin. Isha në muajin e shtatë të shtatzënisë, ma mbyllën gojën me duar “ti edhe shtatzënë qenke a” më përqeshnin në gjuhën e tyre..nga të tre, një nga një më dhunonin, diku afër tre orë më kanë mbajtur ashtu…Kanë qenë më maska, e di që iu lutesha por më kot, pastaj nuk më kujtohet më asgjë, kam humbur vetëdijen, jam kthjellë, kur e kam dëgjuar britmën e vajzës, që bërtiste “mamë sdi çka po më bajnë”, pastaj edhe ajo edhe unë e kemi humbë vetëdijen por e di se e pashë me sytë e mi nga ata dy paramilitarë të maskuar që e dhunonin edhe vajzën time”, rrëfen gruaja e cila edhe sot i vuan me shpirt tmerret e luftës.

Si rasti i saj, vlerësohet të jenë edhe 20 mijë raste të tjera në Kosovë. Një numri të konsiderueshëm të grave, por, edhe burrave që pretendojnë se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, po u refuzohet statusi i viktimës, me çka edhe humbin të drejtën për beneficione ligjore.

Një “fat” të tillë e ka edhe një grua tjetër, e cila në atë kohë ishte 23 vjeçare. Rasti ka ndodhur në maj të vitit 1999, pak para se të përfundonte lufta. Ajo rrëfen ngjarjen për të cilën thotë se ka pësuar trauma të mëdha dhe pret që të paktën nga institucionet e vendit të gjejë përkrahje. Ajo ka dorëzuar tashmë aplikacionin në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe është në pritje të ndonjë përgjigje.

“Kanë ardhur 4 paramilitar të veshur me uniforma të zeza me disa traka të vendosura në dorë, fytyrat i kanë pasur të ngjyrosura më ngjyra. Burrin e morën rob më përpara. Unë u mundova me ikë, gjatë ikjes në rrugë u rrëzova në dy gjunjët, më zunë me xhip. Ai që voziste më qëlloi në fytyrë, të tjerët më preknin në gjoks, më kafshonin me dhëmbë, unë isha në mes të 5 vetave, më rrahën, më qëllonin në fytyrë edhe pas në qafë, edhe në lukth, derisa më ra të fikët. Më kanë dërguar kah rruga transit, kur jam ardh në vete e kam pa ku jam, e kam parë veten te “halla e sporteve” në livadh jashtë. Rrobat i kam pasur të grisura, çudi qysh s’më kanë vrarë. Kanë qenë pesë veta, më dhunuan, në fushë…më kanë shtri, njëri më mbajke duart e tjetri këmbët, unë u kthjella e ata ende më dhunonin, por unë u shtira kinse isha ende pa vetëdije, prej frikës nuk jam përmend. Kur e krynë qejfin e vet më gjuajtën tek salla e sporteve të qytetit. E kam vesh xhemperin…ende më kujtohet ngjyra…I kaltërt ka qenë, i hollë. Trenerkat e poshtme nuk i gjejsha, i gjeta pizhamat, pa këpucë, zbathur u ktheva tek shtëpia e hallës prej nga kisha ikur…duke qajtur mbërrita në shtëpi, ku i kisha dy djemt e vegjël, 3 dhe 5-6 muajsh të voglin. Unë kam qenë 23 vjeçare… kur mbërrita të halla e burrit ku edhe isha strehuar, mezi qëndroja në këmbë, ajo më pa në çfarë gjendje jam, më ndihmoi të pastrohem e qetësohem. Unë qaja derisa ajo më qetësonte me fjalë, më thoshte mundohu ta largosh mendjen”, thotë kjo grua e cila përshkruan që pasojat e kësaj ngjarje janë të mëdha, ka stres, hipertension, dhe irritohet edhe nga burri sepse i kujton çdo gjë të keqe nga dhunimi.

Ajo pret përgjigje nga Komisioni, që t’i njihet statusi i të dhunuarës, që të ketë përkrahje të paktën institucionale dhe jo vetëm ajo por dhe gra tjera e burra që kanë qenë pjesë e këtij tmerri të luftës.

Për t’i mbështetur financiarisht të dhunuarat e luftës së fundit, Qeveria e Kosovës kishte formuar Komisionin për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, por, që ende nuk janë shqyrtuar të gjitha rastet, të cilat kanë aplikuar.

Mirlinda Sada, e cila drejton shoqatën “Medica Gjakova“, e që merret me përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik të grave, thotë për Syri.net Kosova se pranimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale është mjaft i rëndësishëm, sepse, me këtë, shteti, por, edhe shoqëria, pas heshtjes prej shumë vitesh, e pranojnë atë që ka ndodhur. Kjo shoqatë  është edhe anëtare e akredituar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për plotësimin e aplikacioneve, grumbullimin e dokumenteve dhe dorëzimin deri te Komisioni.

Sada thotë se pjesë e kësaj shoqate janë katër meshkuj dhe mbi 500 gra që kanë plotësuar dokumentacionin, duke theksuar se procesi i verifikimit të statusit po zhvillohet nga e Komisionit, por, sipas saj, ekziston vonesë, derisa në momentin e refuzimit nga ana e Komisionit Sada thotë se këto viktima pësojnë ritraumatizim.

“Rastet që janë refuzu, po flas për dy që janë pjesë e kësaj shoqate dhe janë shumë të ndjeshme, sepse janë pjesë e një fshati që është prekur pa përjashtim, dhe ne e dimë që ato janë të mbijetuara të dhunës seksuale, dhe për shkak refuzimit nga ana e Komisionit për shkak të traumës kthehen të thyera, ose nëse atyre iu vonohet përgjigjja vjen edhe deri te luhatja e besimit”, thotë për Syri.net Kosova, Mirlinda Sada.

Shoqata “Medica Gjakova”, përveç përpunimit të traumës, pra fazës së rehabilitimit, mundohet që t’i dalë në ndihmë grave të dhunuara gjatë luftës edhe tek sektori për fuqizim ekonomik, ku këto gra mund të krijojnë edhe biznes dhe të sigurojnë të ardhura nga puna e tyre.

“Grave të zonave rurale u kem ofru paisje për bujqësi , turshi, ajvar, bletë, paisje bujqësore që kanë pasë nevojë me realizu një produkt final, ku gratë me këto produkte sigurojnë një pagë, ndërsa për gratë në qytet kemi bërë linjën e punës së dorës, ku kombinohet modernia dhe klasikja, dhe kështu edhe ato shiten në treg dhe dyqan”, thotë kryetarja e shoqatës, e cila thekson që vazhdimisht mundohen të përmirësojnë sadopak jetën e kësaj kategorie të grave.

E për vështirësitë që hasin me gratë e dhunuara gjatë luftës, tregon edhe Fehmie Luzha, koordinatore e sektorit psikosocial dhe këshilluese psikosociale në kuadër të Shoqatës së Grave “Medica Gjakova”. Ajo tregon për punën që bën me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar edhe afatin prej pesë vjetëve që është vendosur për verifikimin dhe njohjen e statusit të mbijetuarve të dhunës  seksuale e që sipas Luzhës është kohë shumë e shkurtër.

“Shumë gra kanë ardhur duke e fshehur të vërtetën. Ato kanë ardhur nën hijen e vrasjes së burrit, familjarëve apo djegiet e shtëpive gjatë luftës, humbjen e fëmijëve, kështu që vonë kanë filluar të flasin për traumën e vërtetë që ju kanë ndodhë. Për neve, shpesh është e vështirë që këto viktima t’i bindim edhe për me apliku në Komision, sepse, kanë frikën se po bëhet publike derisa ka prej tyre që të vërtetën ende nuk ua kanë tregu familjarëve të tyre për shkak të mundësisë së paragjykimit, por, dhe mospërkrahjes që do të mund të ndodhte, ndaj ne punojmë shumë që t’i bindin se gjithçka mbetet konfidenciale ndaj dhe duhet luftu për të drejtën e tyre”, thotë Luzha për Syri.net Kosova.

Sipas Luzhës, gratë dhe meshkujt që kanë qenë pjesë e dhunës seksuale gjatë luftës duhet të përshkruajnë në detaje atë çfarë ka ndodhur, edhe pse shpesh herë është e vështirë sepse detajet edhe mund të harrohen, pasi që ka kaluar kohë e gjatë nga përfundimi i luftës dhe më e lehtë sipas saj është me ato viktima që janë paraqitur në këtë shoqatë nga viti 1999.

Luzha thekson se nëse Komisioni e sheh që një aplikacion nuk është i përmbushur, atëherë kërkon dokumente shtesë, por që refuzimi sipas saj ua humb motivin viktimës.

“Ne në shoqatë mundohemi që të ruajmë gjithçka nga historia e një viktime, duke nisur nga kartoteka(fleta e parë e databazës se kur ka ardhur viktima), raporti psikologjik, raportin javor, raportin mjekësor, intervistat, fotografitë, pjesëmarrjet në konferenca etj.”, thotë Luzha.

“Nëse ne nuk kemi dokumente tjera, atëherë Komisioni e thërret kandidatin në intervistë. Nëse gjatë intervistës gruaja gabon te numri i policëve, ose e ndërron ngjyrën, ata e dështojnë. Mandej ne bëjmë ankesë, por kjo është e kuptueshme që e demotivon viktimën, dhe vjen deri tek pendimi pse ka aplikuar”, shton Luzha për Syri.net Kosova.

Në raste të refuzimit, këshilluesja psikosociale Fehmie Luzha, thotë se mundohet që të bisedojnë më këta individë që t’i motivojnë të mos dorëzohen, që të vazhdojnë me procedura tjera, por që shpesh ballafaqohen me sfida të shumta.

Pjesë e të dhunuarve të luftës, Luzha thotë se janë nga të gjitha gjeneratat, pa përjashtim.

Për vonesat që po bëhen nga ana e Komisionit për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, kryetarja e këtij Komisioni, Minire Begaj, për Syri.net Kosova thotë se Verifikimi i Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës është një proces shumë delikat dhe i ndjeshëm veçanërisht duke konsideruar që kanë kaluar 20 vite që nga lufta.

Sipas saj, ka pasur raste që palët kanë sjellë dokumente të cilat nuk i plotësojnë kriteret formale juridike, ka pasur edhe raste të tentativave për të keqpërdorur me këtë skemë pensionale për shkak të arsyeve të ndryshme, ndaj dhe ekzistojnë vonesa të tilla.

“Procedurat, kriteret për aplikim janë të përcaktuara me ligjet në fuqi dhe rregulloret e miratuara nga Qeveria e Kosovës mbi bazën e të cilave, Komisioni  merr vendimet lidhur me aplikacionet. Në bazë të aplikimit të aplikuesve, shqyrtimit të aplikacionit dhe të dhënave shtesë (në rastet kur ka), Komisioni bën vlerësimin nëse mund t’i njihet apo jo statusi një aplikuesi. Kur një pale i refuzohet statusi ata kanë të drejtën për t’ju drejtuar sërish Komisionit më kërkesë për rishqyrtim , nëse ka prova të reja apo konsideron që ju ka bërë e padrejtë, në mënyrë që aplikimi i tyre të rishqyrtohet, dhe në rastin e refuzimit dhe pas kërkesës për rishqyrtim, palët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës”, thotë Begaj për Syri.net Kosova.

Tutje, ajo ka treguar edhe për dokumentet shtesë që ua kërkojnë në raste të refuzimit të aplikacionit.

“Dokumentet shtesë të cilat janë të parapara me formularin e aplikimit mund të jenë dokumente mjekësore, juridike, dëshmi nga dëshmitarët, fotografi, intervista të cilat mund të kenë dhënë për gazetarë etj. Ka pasur raste që palët kanë sjellë dokumente të cilat nuk i plotësojnë kriteret formale juridike, ka pasur edhe raste të tentativave për të keqpërdorur me këtë skemë pensionale për shkak të arsyeve të ndryshme”, shton Begaj.

Raste të tilla, sipas saj, që mundohen të manipulojnë më këtë kategori do të ndiqen penalisht.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, në Kosovë gjatë luftës së fundit, konsiderohen se kanë qenë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale.

Rreth 350 grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga gati 1000 sa kishin aplikuar, u është njohur statusi i personit të dhunuar gjatë luftës. Të gjitha ato gra, të cilave u është njohur ky status, do të marrin një pension në vlerë prej 230 eurove.

Në mbështetje të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë, sot (e hënë), në orën 12, në sheshin “Zahir Pajaziti`, në Prishtinë, do të mbahet marsh protestues.

Motoja e Marshit është “MË TRAJTO DINJITETSHËM”, dhe bëhet thirrje që qytetarët t’i bashkohen këtij marshi solidarizues.