Fjalë Kyçe

Rrëfimi i ushtarit të UÇK-së që u plagos dy herë: Më trajtuan me ujë të domateve

Rrëfimi i ushtarit të UÇK-së që u plagos dy herë: Më trajtuan me ujë të domateve

Ish-pjesëtari i UÇK-së nga Prizreni, Fehmi Kelmendi, gjatë luftës ishte plagosur dy herë, ndërkaq në rrëfimin e tij tregon edhe rrethanat.

“Jam Fehmi Kelmendi nga Prizreni. Jam ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jam kyç në vitin 1998, në Qershor. Në plagosjen e parë, ka qenë në këtë pozicion kur jemi sulmu. Domethanë në bjeshkë, në kufi, në këtë pozicion. Na i kemi pasë kuajt të ngarkum me armatim, kuajt janë plagosë dhe kanë ra përtokë. Na jemi tërhek me Xhelalin por në këtë pozicion na kemi marrë anën tonë të Kosovës. Një pjesë e jona që na kanë kap kjo pjesë kështu kemi kalu në anën tonë. Pjesa tjetër që s’ka mujt me kalu, janë kthy prapë në Shqipëri”, ka rrëfyer Kelmendi.

Ai rrëfen se si në plagosjen e dytë, nuk kishte as ujë që të përdorej për shërim.

Për t’u shëruar, ai rrëfen se si kishin përdorur edhe ujin e domates.

“Kuajt na i vrajtën, na u tërhoqëm, por unë tu u tërhek, kam ra me një hendek, edhe aty e kam hup vetëdijen se jam kanë me armatim në shpinë dhe armatimi ma ka marrë anën, kur jom ra në ajër domethënë, tu ra në hendek ma ka marrë anën dhe jam ra në këtë pozicion në shpinë edhe më ka hup vetëdija. Këta ma kanë pru vetëdijen, s’kena pas as ujë se bjeshkë, normal që s’kena pas ujë me vete. Me një domat, e kanë marrë domaten edhe ma kanë pru vetëdijen me ujë të domates domethënë. Gjatë asaj periudhës domethënë në maj të 1999-ës kam marrë plagë të rënda. Që edhe shoktë e mi e dijnë që jam kanë i vdekt prej plagëve të randa, dhe kanë intervenu e me kanë qitë jashtë shtetit për shërim”, ka rrëfyer Kelmendi.

“Kjo periudhë ka qenë 7 maj 1999. Në atë moment jemi plagosë dy për një ditë, unë edhe Fisnik Berisha. Në të njëjtën ditë është vra edhe Adnan Krasniqi. Paradite është vra Adnani në ora 8:30, na jemi plagos në ora 6:15 në mbramje, masdite. Na 45 ditë kemi ba luftë, 40 ditë të plota janë që ka fillu lufta pa u ndërpre hiç”, rrëfen tutje Kelmendi.

“Çdo ditë ka pasë luftime aty. Na jemi kanë nëpër istikame, po unë edhe Fisniki, u qetësun pak grantimet, edhe po i dhom Fisit…se zakonisht kur u nalshin granatimet, na këmbësorinë e kishim shumë afër, me vijë ajrore s’i kemi pas diku as 200 metra me armikun. Edhe jemi dalë me Fisin me e pa mos po na hin këmbësoria”, rrëfen Kelmendi për lajmi.net

Ai tregon se si edhe kishte humbur të pamurit pas plagosjes.

“Në atë moment, taman jemi dalë na, na ka goditë. Ndihmën mjekësore…me vetëdije jam kanë në këtë rast, edhe pse jam kanë shumë rëndë, jam lëndu në kry. Syrin e djathtë edhe sot e atëherë nuk shoh, kam obllacion, domethënë është i pashërueshëm, në syrin e majtë më ka ardhë vetëdija pas një javë dite. Mirëpo në atë kohë kur ma kanë dhanë ndihmën e parë doktor Vezir Bajrami dhe motra Mevlide Zymeri, motra Lidë, nuk ka pasë asnjë lloj ilaçi, kanë marrë ujë, kanë vlu ujë, e kanë ba ujë të distilum për me mi pastru sytë, domethanë plagët”, rrëfen Kelmendi

“Unë jam krenar për atë që e kemi ba. Edhe sot, edhe pse jam në moshë, afër 60, edhe sot kyçna. Se këtë e kemi obligim. Kjo është detyrim për atdheun. Ne nuk kemi dashtë me sundu, as nuk e kemi sundu kërkënd, as nuk kemi pretendu kurrë mas tokave të huaja. Është e domosdoshme për vendin tënd me ba atë çka mundesh, e unë muj edhe sot”, rrëfen Kelmendi.